Eshtë zbardhur ngjara e ndodhur mëngjesin e djeshëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 27-vjeçari Vasel Koceku. Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes. Bëhet fjalë për R. Z, 30 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër.

Bëhet me dije se policia ka arrestuar 27 vjeçarin e plagosur, pasi ka thyer “Arrestin në shtëpi”. I riu kishte dalë me leje të posaçme nga burgu për shkak të COVDI-19. Gjithashtu, është arrestuar dhe i një 32 vjeçar për akuzën “Moskallëzimi i krimit”.

Njoftimi i Policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 04.06.2020, ku mbeti i plagosur shtetasi V. K.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Vihet në pranga edhe 27-vjeçari që mbeti i plagosur, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, kanë vijuar punën intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 04.06.200, ku u plagos me armë zjarri shtetasi V. K., 27 vjeç.

Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale të bërë nga strukturat e Policisë u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit R. Z. 30 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Gjithashtu është bërë ndalimi i shtetasit V. K., 27 vjeç, banues në fshatin Boriç i Vogël, Malësi e Madhe, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, i cili ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, pasi kishte dalë me leje të posaçme për efekt të COVID-19.

Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit E. D., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo ngjarje ka ndodhur për motive të dobëta.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.