Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku deklaroi gjatë Kongresit të Partisë Socialiste se mandatin e tretë do të ndërtohet linja hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi, pas përfundimit të linjës Tiranë-Rinas-Durrës.

Balluku u shpreh se ky projekt bën pjesë në planin “Shqipëria 2030” për zhvillimin e vendit.

“Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Tiranë, Rinas Durrës, do vi dhe linja e re Pogradec, Korçë Greqi e cila do bëjë shumë më të leverdisshme dhe të shpejtë lëvizjen e mallrave e pasagjerëve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes një nyje në zonën e Linit. Duke jetësuar kështu korridorin e tetë. Linja me Malin e Zi do bëhet duke rehabilituar hekurudhën, Vorë, Hani i Hotit” – tha Balluku.

Ministrja shprehu bindjen se me realizimin e projektit “Shqipëria 2030”, nuk do ketë më mungesë të ujit të pijshëm apo trafik në rrugët e vendit, duke përmirësuar infrastrukturën.

“Brenda mandatit të tretë do të përfundojmë ndërtimet në korridorin blu. Shqipëria 2030 nuk do flasë më për mungesën e ujit të pijshëm. Nuk do ketë më rradhë të gjata në rrugët e trafikit. Të gjithë ata që thonë tani dua të largohem, në 2030 do thonë bëmë mirë që qëndruam” – tha Balluku.