Në mandatin e tretë Qeveria do të investojë për ringritjen e transportit hekurudhor.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj bëri të ditur se 3 linja të reja hekurudhore priten të ndërtohen për tu lidhur me vende të Bashkimit Europian si dhe me Kosovën.
“Ajo ç’ka po përgatitet nga Ministria është ringritja e hekurudhave dhe zhvillimi më tej në dy segmentet e tjera Vorë- Rrogozhinë dhe Vorë –Hani Hotit. Projekti Rrogozhinë-Pogradec, si për lidhja me Greqinë por edhe me Maqedoninë e Veriut, ndërsa është në planet aktuale edhe lidhja hekurudhore me Kosovën”, u shpreh Xhafaj.
Xhafaj prezantoi sot përpara komisionit të Integrimit Europian risitë, qëllimet dhe objektivat e projektligjeve “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha shqiptare” sh.a.”, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.
Zëvendësministri Xhafaj sqaroi më tej se krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg.