Ndërsa pritet që të hënën maturantët t’i rikthehen bankave të shkollave, të gjithë janë duke marrë masat për t’i ruajtur ata nga Covid-19. Për këtë arsye, ditën e sotme në prefekturën e Qarkut Elbasan, Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ka zhvilluar një takim me Drejtoritë Rajonale Arsimore dhe njësitë vendore të Kujdesit Shëndetësor të qarkut Elbasan, Berat dhe Korçë.
Në këtë takim, janë dhënë udhëzimet sesi do të veprohet me kthimin e maturantëve, ndërsa theksohet edhe ruajtja e higjenës personale dhe distancimi, ashtu siç është vënë në të gjitha shkollat.
Në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë nxënësit do të hyjnë dhe do të dalin në një orar të caktuar nga shkolla dhe se gjatë gjithë ditës nuk do të lejohet të ridalin dhe rihyjnë në ambientet e shkollës.
Në urdhrin anti-covid, shkruhet se nuk do të lejohet ushqimi në klasa, apo qëndrimet në korridore. Për klasat me numër të lartë nxënësish, do të bëhet ndarja e tyre në dy salla të ndryshme.
Dritaret duhet të mbahen të hapura ose të ajrosen deri 6 herë gjatë ditës. Përsa i përket kushteve higjieno-sanitare, urdhri thotë se ambientet e shkollës duhet të dezinfektohen pas përfundimit të mësimit. Për nxënësit që shkelin rregullat anti-covid do të ketë penalizime.
Elbasaninews.tv