Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi listën e subjekteve që kanë kërkuar të njihen si “posedues jopronarë”, në zbatim të ligjit nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve” dhe akteve nënligjore përkatëse.
Vendimi vjen pas përfundimit të të gjithë procesit administrativ të ndjekur nga grupi i posaçëm i punës i ngritur nga Bashkia Elbasan, i cili verifikoi dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët, kreu evidentimet në terren dhe realizoi shkëmbimin e informacionit me institucionet përgjegjëse.
Në kuadër të procedurave ligjore, kërkesat që plotësonin kriteret e përcaktuara janë afishuar për një periudhë 45-ditore në ambientet e Bashkisë Elbasan, në njësitë administrative përkatëse dhe në faqen zyrtare të institucionit, duke garantuar transparencën e procesit dhe mundësinë për paraqitjen e pretendimeve apo ankesave nga palët e interesuara.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përfundimit të afateve të njoftimit publik, Këshilli Bashkiak miratoi listën e subjekteve që përmbushin kushtet për t’u njohur si posedues jopronarë, së bashku me plan-rilevimet përkatëse të sipërfaqeve objekt kërkese.
Sipas vendimit të miratuar, hapi i radhës parashikon paraqitjen e kërkesave pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për pasqyrimin e statusit të poseduesit jopronar në kartelat e pasurive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Paketa e Maleve përbën një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin e zonave malore, duke synuar nxitjen e investimeve, turizmit dhe ekonomisë lokale. Në Bashkinë Elbasan, zonat prioritare të përfshira në këtë paketë janë njësitë administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë, të cilat përfitojnë nga mundësitë dhe lehtësitë që ofron ky program për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.



























