Drejtoria e Policisë Rrugore ka shtuar kontrollet gjatë këtyre ditëve festive në akse të ndryshme rrugore.

Në rrugët interurbane Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Tiranë-Lezhë dhe Fier-Vlorë-Fier, si dhe në Rrugën e Kombit vijon monitorimi me radarë, për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara dhe përdorimit të alkoolit.

“Aktualisht në akset kryesore të vendit, Policia është duke përdorur 6 radarë. Po kështu kontrollet janë përqendruar edhe në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale duke përdorur dhjetëra akooltestues, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, njofton Policia.

Policia thekson se, “prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente, në të gjithë vendin janë pezulluar 34 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit”.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të mos abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon, të kujdesen për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Policia Rrugore do jetë prezente kudo, me radarë e dragera, jo për të shtuar numrin e gjobave, por për të parandaluar kërcënimin e jetës në rrugë, nga këta drejtues mjetesh që abuzojnë me rregullat dhe normat e sjelljes në rrugë.

“Gëzuar Vitin e Ri, festoni, shijoni fundjavën, por duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës suaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, përfundon njoftimin Policia.