Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, deklaroi sot se “kemi dixhitalizuar shumë shërbime, por aplikimi për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët, shërbim që u erdhi në ndihmë fermerëve nga çdo cep i vendit, ishte një sfidë më vete”.

“Tani që procesi mbaroi me sukses, nuk mund ta fsheh entuziazmin e shifrave të aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Së pari sepse më tregojnë sa kohë, lodhje, ecejake, stres e letra poshtë e përpjetë u kemi kursyer njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe së dyti, sepse këto shifra janë dëshmi e pastër e faktit qe e-Albania aksesohet nga kushdo me lehtësinë më të madhe”, – theksoi Karçanaj.

Sipas saj, në vitin 2018 dhe në vitin 2019, kur aplikimet kryheshin nëpër Agropika, ka patur më pak aplikime sesa me platformën e-Albania që vendosi shifrën rekord me 8,386 aplikime.

“Kjo platformë është tashmë e të gjithëve dhe ne nuk do lodhemi asnjë sekondë për t’ua bërë jetën më të lehtë përmes teknologjisë. Radhët dhe letrat nëpër duar kanë marrë fund! Të gjitha i bën platforma e-Albania, pa radhë, pa kosto”, – tha Karçanaj