Të pyetur se kush do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit, 44% e qytetarëve mendojnë se do t’i fitojë Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Këto janë rezultatet e sondazhit të realizuar nga Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), publikuar sot në mbrëmje në Top Channel, i kryer nga periudha 10 deri më 16 shkurt të këtij viti.

Të pyetur se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 44% janë përgjigjur PS (Edi Rama), 24% mendojnë se zgjedhjet do t’i fitojë PD (Lulzim Basha), 2% LSI (Monika Kryemadhi), 1% mendojnë se do t’i fitojë një parti tjetër, 24% janë përgjigjur, nuk e di dhe 5% refuzon të përgjigjet.

Të pyetur se kush do të donin që të drejtonte vendin, 39% e qytetarëve janë përgjigjur se do të donin që vendi të drejtohet nga Kryeministri aktual Edi Rama dhe 29% do të donin që vendi të drejtohet nga lideri i PD, Lulzim Basha. 22% janë përgjigjur nuk e di, 9% kanë refuzuar të përgjigjen.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë të diel, PS do të merrte, 49.5%, PD 39.3%, LSI 5.1%, Nisma Thurje 1.7%, LDSH 1.4%, PSD 0.8%, Lëvizja për Ndryshim 0.6%, PR 0.2%, PDK 0.2%, PDIU 0.2%, PBDNJ 0.1%, PAA 0.1%, Bindja Demokratike 0.1% dhe partitë e tjera 0.6%

Ndërsa 56% e qytetarëve mendojnë se kryeministri Edi Rama e ka menaxhuar mirë situatën e pandemisë së COVID-19 dhe 38% e qytetarëve mendojnë se e menaxhoi keq.

Oliviero Marchese, drejtori i Përgjithshëm i Kërkimeve Elektorale, IPSOS tha mbrëmjen e sotme se Rama ka punuar mirë në situatën e pandemisë së COVID-19, bazuar në rezultatet e sondazhit.

“Dy gjëra, e para që dua të them është se nuk ka diferencë shumë të madhe nëpërmjet grupmoshave, grupeve të shoqërisë, burra apo gram mbi këtë pyetje. Në total, shpërndarja është e ngjashme në të gjitha grupet. Siç u tha dhe nga të ftuarit tuaj, 38% të personave është nivel pozitiv për qeverinë, pra mbi Covidin në veçanti, ka punuar mirë. Në vende të tjera, gjykimi mund të jetë ndryshe”, tha ai.

Të pyetur se si do ta vlerësoni punën e qeverisë në trajtimin e problemeve më të mëdha, me të cilat Shqipëria po përballet sot, 16% mendojnë shumë mirë, 40% mjaft mirë, me një total prej 56% që mendojnë mirë dhe 16% janë përgjigjur mjaft keq, 23% janë përgjigjur shumë keq me një total prej 39% që janë përgjigjur keq.

Të pyetur se si do ta vlerësoni punën e opozitës në trajtimin e problemeve më të mëdha, me të cilat Shqipëria po përballet sot 7% mendojnë shumë mirë, 27% mendojnë mjaft mirë, me një total prej 34% që mendojnë mirë. Ndërsa 33% janë përgjigjur shumë keq, 21% janë përgjigjur mjaft keq, me një total prej 83 që janë përgjigjur keq.

Pyetjes se cilat janë tre problemet më të rëndësishme me të cilat po përballet Shqipëria për momentin, probleme të cilat ju personalisht jeni më të shqetësuar, 41% janë përgjigjur ekonomia/kriza ekonomike, 36% papunësia, 22% pandemia nga COVID-19, 22% shëndetësia, 17% korrupsioni, 13% pensionet dhe rrogat e ulëta, 11% arsimi, 10% infrastruktura, 9% varfëria, 8% emigrimi, 7% drejtësia, 6% çmimet dhe taksat e larta, 6% situata politike, 5% siguria, 4 % uji dhe dritat, 3% tërmeti, 2% keqqeverisje, 15% kanë zgjedhur diçka tjetër dhe 5% kanë refuzuar të përgjigjet.

Në këtë sondazh janë intervistuar 1.527 qytetarë mbi 18 vjeç në 12 qarqet e vendit.