Sophia Loren do të rikthehet në ekran me filmin italian “The Life Ahead”. Adhuruesit e yllit kinematografik do të kenë mundësi ta shohin Loren dhe projektin e ri në plantformën Netflix.
Këtë herë, aktorja do të jetë nën drejtimin e të birit, regjisorit Edoardo Ponti. Filmi ka në fokus historinë e një gruaje hebre, e mbijetuar e Holokaustit, e cila ndihmon në rritjen e fëmijëve të prostitutave. Loren është shprehur se e dashuron rolin, pasi i kujton të ëmën. “E brishtë, e ashpër, e mbijetuar”, e ka përshkruar ajo personazhin e saj, duke theksuar se ishte lumturuar pa masë kur i biri ia kishte ofruar si mundësi.
Kjo nuk është hera e parë që Ponti e sheh të ëmën si muzë në filmat e tij. Dyshja kanë patur edhe bashkëpunime të mëparshme, duke dëshmuar se pasioni për kinemanë është trashëguar brez pas brezi. Loren tashmë është 86 vjeç, por dashuria për filmin nuk e ka penguar të vijojë karrierën në sheshet e xhirimit. /News31