E mërkura do të jetë një ditë e paharrueshme për futbollin serb. Në stadiumin e Partizanit të Beogradit do të luhet derbi i zjarrtë me Crvena Zvezdën, i vlefshëm për gjysmëfinalen e Kupës, por ajo që është më e rëndësishmja është që sfida do të luhet me praninë e tifozëve, pasi Serbia ka shpallur hapjen totale pas periudhës së koronavirusit.
Tifozët do të jenë të lirë të vijnë në stadium, pa maska ose distancim social, ndërkohë që pritet të ndezin atmosferën në një kohë kur kjo sfidë bën jehonë edhe në botë për shkak të mbështetjes tepër të zjarrtë nga lojtari i 12.
Serbia është vendi i parë në Europë që hap me kapacitet të plotë stadiumet ndaj të mërkurën priten rreth 30 mijë tifozë. Me shumë siguri jo vetëm futbolldashësit serb por edhe të tjera rreth e qark Europës do të kthejnë sytë nga kjo sfidë, më shumë për faktin se rikthehen tifozët.
Kujtojmë se në Serbi janë regjistruar mbi 11 mijë të prekur dhe 250 viktima, por kjo nuk e ka ndaluar qeverinë, që të heqë kufizimet dhe të lejojë tifozët në stadium.