Pak ditë pasi qeveria miratoi projektin e zgjerimit të Porto Romanos, Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka vonuar për të hapur garën për marrjen e një shërbimi konsulence për hartimin e projektit teknik të detajuar të portit të ri tregtar me një vlerë prej 1 miliardë lekë.

Sipas dokumenteve të tenderit të publikuara në Agjencinë e Porkurimit Publik, operatorët e interesuar do të kenë mundësi të paraqesin ofertat e tyre deri më 9 korrik dhe fituesi i garës do të ofrojë konsulencën dhe asistencën e tij për një periudhë 8-mujore.

Masterplani për transformimin e portit të Durrësit ka gjetur mbështetjen e gjigantit Emmar nga Emiratet e Bashkuara Arabe që do të investojnë për këtë projekt 2 miliardë dollarë.

Ai parashikon transferimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave nga porti aktual i Durrësit në Porto Romano dhe në vend të tij kompania Emmar pritet të ndërtojë një port jahtesh, në përpjekje për ta kthyer atë në një qendër të rëndësishme me shërbime të dedikuara turizmit si dhe zhvillimin e sektori të Real Estate në nivel luksi.

Veç hapësirës për ankorimin e mjeteve lundruese, Emmar Group parashikon ndër të tjera edhe zbatimin e një sërë investimesh të tjera transformuese që përfshijnë godina, hotele apo rrugë në zonën ku do të zbatohet projekti në duke synuar ta bëjë atë portin më të madh turistik në Ballkan, që pritet të jetë gati brenda 6 viteve të ardhshme.