Koronavirusi i ka marrë jetën një punonjësi të policisë në moshën 50 vjeçare. Punonjës i Policisë së Shtetit, Ilir Nerguti ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm te Spitali Infektiv. Nerguti ishte i shtruar prej 3 javësh tek Infektivi pasi ishte i infektuar me COVID-19, por nuk mundi të fitonte betejën e tij.
Ilir Nerguti punonte në Policinë e Shtetit në drejtorinë e policisë së Tiranës. Tragjedia në familjen Nerguti është e dyfishtë, pasi 15 ditë më parë po nga COVID-19 ka ndërruar jetë edhe i ati i punonjësit të policisë.
I ati ishte shtruar po ashtu në Spitalin Infektiv, ndërsa ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare dhe vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese.
Për të shmangur dhimbjen dhe me shpresën se 50-vjeçari do të shërohej, familjarët zgjodhën të mos i thonë gjë për vdekjen e të atit ilir Nergutit, por 15 ditë më pas ndërroi jetë edhe ai.
Ilir Nerguti më 4 shtator bëri 50 vjeç dhe ishte baba i dy fëmijëve.
Ditën e sotme (17 shtator) në Shqipëri vetëm në 24 orët e fundit u shënuan 132 raste të reja me COVID-19 dhe 4 humbje jete.