Mëngjesi i 6 dhjetorit ka shënuar sërish lëkundje sizmike me magnitudë 4.1 ballë në vendin tonë. Paraprakisht IGJEUM njofton se epiqendra e tërmetit 4.1 ballë ka qenë në detin Adriatik 2 km në veri të Ishmit në Durrës, kurse thellësia ka qenë 11 kilometër.

Ndërsa sipas EMSC tërmeti i rënë ka qenë 4.5. Lëkundjet janë ndjerë në Durrës, Laç, Krujë dhe në Lezhë. Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale nga lëkundjet por qytetarët janë shqetësuar.

Sipas raportimit të Emergjencave Civile dhe ministrisë së Mbrojtjes nga tërmeti deri më tani s’ka asnjë dëmtim të banesave, pallateve, në të gjitha qarqet ku është ndjerë, përfshirë edhe epiqendrën që është Durrësi.

Për Report Tv, sizmiologu Edmond Dushi shpjegoi se këto lëkundje janë proces normal i relaksimi tektonik të tokës pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa iu bëri apel qytetarëve të mos panikosen.

Kujtojmë se 10 ditë më parë, u shënua 1 vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit të kaluar ku humbën jetën 51 persona, mbetën mbi 900 të plagosur, 17 mijë familje të pastreha, pasi toka u dridh nga lëkundje me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, me thellësi 38 km, me epiqendër 22 km nga Durrësi dhe 30 km nga Tirana.