Një gazetar u gjet i vdekur në Ciudad Juarez të Meksikës pasi u qëllua të paktën 11 herë. Arturo Alba është gazetari i gjashtë që ekzekutohet këtë vit në Meksikë.

49-vjeçari Arturo Alba Medina, i cili raportoi mbi krimin, dhunën dhe gjithashtu drejtoi një emision televiziv, u gjet i vdekur në një rrugë në mbrëmje vonë.  Ai u vra disa minuta pas përfundimit të programit të tij, sapo doli nga studio.

Prokurorët thanë se të paktën dy persona janë të përfshirë në sulm dhe shtuan se motivet nuk ishin të qarta edhe pse thuajse është e qartë se ai u vendos në shënjestër për shkak të profesionit dhe raportimeve për krimin në vend.

Guvernatori Javier Corral dënoi vrasjen duke e cilësuar si frikacake, ndërsa u shpreh se “Drejtësia do të bëhet”.