Objektivi i Qeverisë është që procesi vaksinimit për të gjithë popullsinë të realizohet brenda 14 muajve. Deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu tha sot gjatë një interviste televizive se procesi vaksinimit nuk varet vetëm nga vullneti i qeverisë, por varet dhe nga sasia e vaksinave që do sjellin firmat e kontraktuara.
Sipas Spahiut, deri më tani procesi i vaksinimit ka ecur mjaft mirë. “Procesi i vaksinimit ka ditë që ka nisur fillimisht në Tiranë, për të vijuar më tej në Shkodër, Vlorë, Fier dhe do të vijojë më tutje në të gjithë vendin. Po ecën me ritme shumë të mira, që edhe ne nuk i kishim parashikuar”,- tha Spahiu.
Ajo tha se procesi i vaksinimit po bëhet paralelisht në disa qytete me qëllim që personeli mjekësor të vaksinohet sa më shpejt. “Në fillim duam të vaksinojmë sa më shpejt personelin shëndetësor, që është në frontin e parë të betejës ndaj COVID-19. Por paralelisht kemi nisur dhe me kategorinë e të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve”,- tha ajo.
Spahiu u shpreh se, dhënia e një prioriteti për personalitet në procesin e vaksinimit, duke respektuar kriterin moshë, është dhe çështje morale.
“Dua të theksoi se është bërë e ditur që kategoria mbi 80 vjeç do të jetë e para që do të vaksinohet, por nëse midis tyre ka emra që i kanë dhënë këtij vendi, nuk do të thotë se po bëhet përjashtim apo favorizim. Është një numër shumë i vogël dhe nuk mendoj se duhet debatuar për këtë”,- tha Spahiu.
“BE ka insistuar sot për të vijuar vaksinimi tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një raport për vaksinimin mbarëbotëror kam vënë re se nuk ishin përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor përveç Serbisë. Ne, vërtet s’kemi numër të lartë të vaksinuarish në krahasim me BE, por po ta shohim me vendet fqinje, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën..etj, jemi shumë mirë. Duhet përshëndetur iniciativa për të insistuar në variante të tjera të vaksinimit dhe jo vetëm tek COVAX. Qeveria apo punon për të krijuar lidhje dhe kontrata të tjera vaksinimi që janë të certifikuara nga BE. Situata është tepër e vështirë, kritike, me një numër rastesh me pozitivitet të lartë”,- tha Spahiu.
“Unë ju garantoi se vullneti është maksimal për të vaksinuar të gjithë popullsinë brenda 14 muajve, por kjo sfidë nuk varet nga forcat tona, por varet shumë dhe nga saktësia që do tregojë pala kontraktore për të sjellë furnizimin. Nëse brenda marsit do kemi 50 000 dozat e tjera nga Pfizer, dhe nëse më tej marrim dozat e kontraktuara nga COVAX, të jeni të garantuar se do ia arrimë këtij objektivi 14-mujor. Kjo nuk është çështje dëshire. Duhet t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, atyre që dalin pozitiv e që nuk kanë simptoma, se ne do t’ia dalim nëse ata izolohen e bëjnë karantinën e duhur, nëse marrin me seriozitet këtë gjë. Karantina dyjavore është thelbësore”,-tha Spahiu.
Deputetja e PS u ndal edhe fushata elektorale duke u shprehur se po punohet me grupe të vogla. “Edhe PS prej muajsh ka nisur punën me anëtarët për atë që bënë çdo forcë politike për evidentimin e votuesve. Kjo mund të bëhet në grupe të vogla, jo më tepër se dhjetë vetë për të arritur objektivin politik që kemi. E kemi pranuar që s’do ketë tubime të mëdha, takime të mëdha, por duhet të punojmë derë më derë në grupe të vogla. Duhet të zbatojmë masat, se kur të përfundojmë zgjedhjet më tej do na dalin probleme të tjera, që do na vështirësojnë shumë më tepër, jo vetëm dëmtimim moral, por dhe dëmin ekonomik. Pasi nëse shtohet numri rasteve nëse gjendja përkeqësohet edhe komiteti teknik do kërkojë masa më të ashpra, duke sjell dëm ekonomik më të madh për të gjithë”,- tha deputetja socialiste.
“Ne përballë COVID kemi një strategji të konsultuar me OBSH, kemi ndjekur hap pas hapi këtë strategji të mbikqyrur dhe nga Komiteti i Ekspertëve. Në momentin që do ezauroheshin kapacitetet e spitaleve Covid, do hapeshin dhe spitalet private dhe rajonale. Ndërgjegjësimi duhet të jetë maksimal. Opozita në rrugën e saj qorre, që duke sharë e duke hedhur baltë mbi sistemin shëndetësor, kërkon të bëjë fushtë elektorale, do të kuptojë se po ndjek një strategji të dështuar kur të shohi rezultatin e zgjedhjeve”- tha ajo.
Duke folur për programin e PD-së në fushën e Shëndetësisë, Spahiu tha se shumë nga pikat e përmendura janë realizuar e nuk duhet të kthehemi pas.
“Programin e PD për shëndetësinë e kam lexuar dhe duhet thënë se shumë pika të atij programi janë të ezauruara nga përpjekja e qeverisë për të patur një sistem shëndetësor sa më të mirë. Nuk mund të kthehemi pas tetë vite, që të lëmë 600 000 qytetarë pa mbuluar në sistem shëndetësor, që tashmë i kemi bërë pjesë të sistemit tonë të mbulimit shëndetësor edhe pse nuk kanë paguar sigurime. Projekti për të ardhmen është reforma spitalore. Ne kemi investuar në 300 qendra shëndetësore dhe fokusi ynë tashmë do jenë spitalet rajonale, për t’i kthyer në efikasitet maksimal e për të stimuluar mjekët e personelin për të pasur një pagesë sipas punës së tyre. PD në programin shëndetësor ka bërë premtime që janë ose mbi realiste, ose të realizuara”, tha deputetja Spahiu.