TIRANË, 14 qershor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama përcolli këtë mëngjes pamje nga bukuritë magjepsëse të Syrit të Kaltër.
“Mirëmëngjes dhe me këtë peizazh nga Syri i Kaltër, ju uroj të dielë të paqtë”, u shpreh kryeministri Rama.
Syri i Kaltër është një burim uji, dukuri natyrore dhe vend turistik i shpallur monument i natyrës, që ndodhet në fshatin Muzinë të Rrethit e Delvinës, pranë rrugës nacionale Delvinë – Gjirokastër, në jug të Shqipërisë.
Syri i Kaltër është një burim me origjinë karstike me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Syri i Kaltër ka një thellësi më shumë se pesëdhjetë metra. Disa zhytës kanë zbritur deri në pesëdhjetë metra, por është ende e paqartë se cila është thellësia e saktë e gropës karstike.
Nga thellësia e burimit dhe veçantia e vrimës karstike uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit.
Syri i Kaltër njihet edhe si ‘Burim i Bistricës’ pasi është burimi fillestar i ujit të lumit të Bistricës, i gjatë 25 km, i cili përfundon në Detin Jon në jug të Sarandës.
ATSH