Vlera më e madhe e investimeve holandeze është adresuar kryesisht në sektorin e energjetikës ku spikatin financimet në HEC-et e Banjës dhe të Moglicës, të ndërtuara në kaskadën e lumit Devoll.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Holanda renditet në vendin e dytë pas Zvicrës si investitori kryesor i huaj në Shqipëri, për 3-mujorin e dytë të 2020.

Investimet holandeze, kapën shifrën e 45 milionë eurove në këtë tremujor  ndërsa fluksi i investimeve zvicerane arriti në 74 milionë euro.

Turqia është shteti i tretë përsa i përket fluksit të lartë të investimeve të huaja në Shqipëri. Investimet turke dominojnë në energjetikë, ku kompanitë Limak e Ayen Energy, po ndërtojnë HEC-e të rëndësishme në kaskadën e lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël, në Mirditë.

Ndërkohë flukse dyshifrore të investimeve të huaja gjeneruan në tremujorin e dytë edhe Austria e Italia përkatësisht me 19 milionë euro dhe 18 milionë euro.

Sipas BSH-së, për 6-mujorin e parë të vitit, investitori më i madh i huaj në Shqipëri ishte Holanda, me 143 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 119 milionë dhe nga Turqia me 48 milionë euro. e.xh