Në Shqipëri numri i pacientëve me COVID 19 të shtruar në të tre spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike vijoi të rritet dhe në 24 orët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të shpërndara të shtunën në to “po trajtohen 389 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 4 të intubuar”.

Ndonëse informacionet zyrtare nuk saktësojnë numrin e pacientëve të rinj, krahasuar me një ditë më parë janë 11 të shtruar më shumë, ndërsa nuk dihet se sa të tjerë mund të kenë lënë spitalin, përveç 7 personave që kanë humbur jetën: një 58 vjeçar dhe një 62 vjeçar nga Kavaja, një 60 vjeçar nga Durrësi, një 73 vjeçar dhe një 75 vjeçar nga Korça, një 78 vjeçar nga Shkodra, një 85 vjeçare nga Tirana.

Rastet e reja gjithashtu pësuan një rritje, krahasuar më të premten, duke u ngjitur në 532 të prekur, ndërkohë që rekordi u shënua të hënën e kaluar me 563 raste, ditë në të cilën edhe testimet arritën pikun me 2723 tampona. Por krahasuar me të hënën, përqindja e pozitivitetit (raporti mes rasteve dhe tamponëve u rrit në 22.08 përqind, ose 1.4 pikë përqindje me shumë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Rastet e reja u konfirmuan thuajse në të gjithë vendin: 191 në Tiranë, 42 në Durrës, 32 në Krujë, 31 në Elbasan, 28 në Kurbin, 27 në Shkodër, 19 në Sarandë, 17 në Pogradec, 15 në Vlorë, nga 12 raste në Lezhë, Librazhd, 11 në Përmet, nga 9 raste në Kavajë, Mirditë, Tepelenë, nga 8 raste në Devoll, Gjirokastër, Malësi e Madhe, 7 në Gramsh, 6 në Fier, nga 5 raste në Berat, Bulqizë, nga 4 raste në Tropojë, Mallakastër, Mat, nga 2 raste në Skrapar, Delvinë, Has, dhe nga 1 rast në Kukës, Lushnje, e Kolonjë.

Aktualisht më shumë se gjysma e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, janë ende aktivë (13.854 raste). Nga këta, gati 50 përqind janë vetëm në kryeqytet (6797 raste), i ndjekur nga Durrësi (1170 raste) dhe Fieri ( 1005 raste aktivë). Në qarqet e tjera, personat need pozitivë janë nën kuotën e 1 mijë të infektuarve.