Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Ramiz Micin, i cili vrau bashkëjetuesen 2 ditë me parë.
Gjatë seancës gjyqësore të ditës së sotme, avokati i Micit i caktuar nga shteti kërkoi analizimin e gjendjes se tij mendore. Kërkesa u refuzua nga gjykatësja Pajtime Fetahu dhe prokuror Xheljan Seferi.
Elbasani u trondit dy ditë më parë nga vrasja e ndodhur, ku Ramiz Mici i mori jetën bashkëjetueses për shkaqe xhelozie.
Ata jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjeçarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Edhe autori i vrasjet ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.
Mësohet se para pesë ditësh, kishte ndodhur një sherr mes tyre dhe 37-vjeçari e kishte dhunuar bashkëjetuesen. Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër-mbrojtje. Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.
Ditën e vrasjes, 37-vjeçarja do të ikte nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër, edhe pse nuk mundi dot të largohej.
Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kanë qenë në banesë në momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët tek babai i tyre.
Vëllai i 37-vjeçares Jetlira Elezi paralajmëroi përmes një postimi në rrjete sociale se do të hakmerret për të. Ai i është drejtuar autorit Ramiz Mici duke i thënë publikisht se do të vrasë të afërmit e tij.

Top Channel