Kërkesat për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë janë të pakuptimta, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit të parë të qeverisë së re në Beograd.

Pas seancës së 2 nëntorit, ku mori pjesë si kryetar i shtetit, ai tha se njohja e ndërsjellë nuk është një çështje që Serbia do ta diskutojë ndonjëherë dhe përsëriti se Prishtina është e detyruar të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit, e cila së pari përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Na duhet një zgjidhje kompromisi midis Prishtinës dhe Beogradit,” ka thënë Vuçiç.

Vuçiç në fjalën e tij i ka kushtuar rëndësi edhe zgjedhjeve në SHBA, ku theksoi se presidenti i rradhës do të ketë një ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi.

I dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha në të njëjtën ditë se në vitet e mëparshme ishin bërë shumë premtime, dhe u bëri thirrje qytetarëve në rajon që këtë herë të besojnë për fjalën e dhënë.