Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mirëpriti në një takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut i kanë plotësuar kushtet për miratimin e kornizës negociuese, si dhe për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne, pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva europiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, – tha ministrja në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Kryediplomatja Xhaçka vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si vendimtar në proceset euroatlantike dhe si një urë lidhëse miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Patëm vërtet një bisedë të shkëlqyer dhe konstruktive. Në fakt, temat që ndajmë me Maqedoninë e Veriut janë aq të shumta, sa nuk mjafton një bisedë apo një vizitë si kjo për t’i prekur të tëra. Por jam e sigurt që me  Osmani do të vazhdojmë atë traditë shumë të suksesshme komunikimi e bashkëpunimi, që është konsoliduar tashmë prej vitesh mes vendeve tona”, – tha Xhaçka.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë realisht një nga shtyllat e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin tonë. Ne ndajmë të njëjtën bindje, që bashkëpunimi dypalësh mund dhe duhet të zgjerohet më tej, qoftë në diplomaci, qoftë në shkëmbime, qoftë në fusha si ndërlidhja midis vendeve tona, infrastruktura, energjia, shkëmbimet tregtare, turizmi, arsimi, kultura etj, sepse nga kjo do të përfitojnë jo vetëm vendet tona, por edhe mbarë rajoni”, – shtoi Xhaçka.

“Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një moment me shumë sfida e vështirësi, por edhe një moment shprese e guximi për të parë përpara. Vendet tona po përballen, prej thuajse një viti me pandeminë COVID-19, me pasojat e kësaj pandemie, jo vetëm tek shëndeti i popujve tanë, por edhe tek sistemet shëndetësore dhe ekonomitë tona. Situata me të cilën jemi përballur që prej Marsit 2020, ka qenë vërtet e vështirë për të gjithë ne e për të gjithë botën në fakt. Por pikërisht në kohë si kjo, kemi nevojë më shumë se kurrë për bashkëpunim e solidaritet, sidomos mes vendesh si tonat, që ka aq shumë gjëra që i lidhin”, – u shpreh ministrja Xhaçka.

“Por, krahas kësaj krize mbarëbotërore që na ka prekur edhe ne, 2021 në fakt është edhe një moment shprese, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, presin të hedhin një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian. Dhe dua të përfitoj nga ky rast, për të theksuar edhe njëherë disa fakte, për të cilat besoj që kam edhe dakordësinë e kolegut Osmani”, – shtoi ajo.

“Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin europian të Maqedonisë së Veriut”, – tha Xhaçka.

“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva europiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv”, – vijoi Xhaçka.

“Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën europiane. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ishte një arritje e shkëlqyer, që e ka bërë rajonin tonë shumë më të sigurt. Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE”, – u shpreh ajo.

“Dhe këtu – e lashë për në fund, sepse dua t’i jap peshën që i takon dhe vlerësimin tim maksimal – ka luajtur e luan një rol të jashtëzakonshëm faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë fuqimisht faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, angazhimin konstruktiv të partive politike shqiptare, por edhe progresin e mëtejshëm në çështje me rëndësi themelore, siç është nevoja për zbatimin praktik të MKO-së e Ligjit të Gjuhëve, si gur themeli i arritjes së barazisë së plotë mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, si dy komunitete shtetformuese”, – tha Xhaçka.

Në fjalën e tij, ministri Osmani u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy vendeve, duke theksuar se kjo do të sjellë një impuls të ri në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, ai u shpreh entuziast për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e diasporës si dhe bashkëpunimin trepalësh Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Bullgari.

“Është vizita e parë në Shqipëri si ministër i jashtëm dhe mundësi e mirë të përgëzoj kolegen Xhaçka për besimin që i është dhënë.  Ne të dy jemi udhëheqës të rinj të diplomacive të vendeve tona. Kemi gatishmëri për bashkëpunim për të arritur qëllimet me interes të përbashkët për dy vendet tona. I tillë është bashkëpunimi në NATO. Kujtoi se kemi patur mbështetje të sinqertë e të thellë nga ana e Shqipërisë gjatë rrugëtimit tonë për anëtarësimin tonë në NATO. I shpreha mirënjohje të veçantë koleges tonë”, – tha ai.

“Aspirimi i të dy vendeve është dhe anëtarësimi i plotë në BE dhe në këtë drejtim jemi dakord se nuk ka alternativë. Vendet e kanë kaluar provën e fqinjësisë së mirë dhe janë themel i miqësisë stabile dhe afatgjatë. Është një nga shtyllat më të rëndësishme për sigurinë, prosperitetin e gjithë rajonit. Jemi të vendosur në përpjekjet për përforcimin e tij dhje secili prej tij të jap kontribut në këtë drejtim. Jemi drejt për drejt të interesuar për dialogun Prishtinë-Beograd dhe suksesin e këtij bisedimi të drejtuar nga SHBA E BE. Kontributi në rajon i yni është i sinqertë si në kuadër të procesit të Berlinit apo Shengenit rajonal”, – u shpreh Osmani.