TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Organizata Europiane e Patentave dhe Ministria e Financave përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale bien dakord në parim për nënshkrimin së shpejti të një marrëveshjeje e cila siguron ulje me 75% të tarifës bazë për rreth 100 aplikime shqiptare në vit nga shpikësit e pavarur, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, universitetet dhe organizatat jo fitimprurëse.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur sot se në datat 30 qershor – 1 korrik 2020, Këshilli Administrativ i Organizatës Europiane të Patentave (EPO) diskutoi marrëveshjen e punës midis Organizatës Europiane të Patentave (EPO) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Nga kjo marrëveshje, do të përfitojnë ulje me 75% të tarifës bazë, rreth 100 aplikime shqiptare në vit nga shpikësit e pavarur, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, universitetet dhe organizatat jo fitimprurëse”, u shpreh Denaj.

Sipas saj, avantazhi kryesor i marrëveshjes do të jetë reduktimi i tarifës së raportit të kërkimit të hartuar nga Zyra Europiane e Patentave për aplikantët shqiptarë në rastet kur kanë depozituar në DPPI aplikim ndërkombëtar për patentë për shpikje, bazuar në marrëveshjen në fushën e patentave, si dhe  aplikim kombëtar për patentë të depozituar në DPPI.

Denaj tha se nënshkrimi i marrëveshjes nga të dy titullarët, pritet të bëhet së shpejti pavarësisht pandemisë.

ATSH