MBAHET CEREMONI PËRKUJTIMORE
111 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, e cila njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”. Në të morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar. Kongresi i Elbasanit mori një sërë vendimesh të pasqyruara në Aktin e Vendimeve të Kongresit prej 15-të pikash si dhe miratoi dhe rregulloren e klubeve dhe shoqërive patriotike, duke i dhënë një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Ky kongres është përkujtuar sot me një ceremoni të zhvilluar nga Bashkia e Elbasanit, ku vetë kryebashkiaku Llatja e cilëson si një nga ngjarjet më te rëndësishme të arsimit.
Për zgjidhjen e delegatëve dhe vendimet që u morën në kongresin e zhvilluar para 111 viteve në Elbasan është shprehur para të pranishmëve edhe historiani Roland Gjini, i cili në terma më historik solli para pjesmarrëse në kete ceremoni detaje të reja.
Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.
Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
EDLIRA XHERRI