TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Për 1.363 banorë të 14 fshatrave të bashkisë Kolonjë do të mundësohet furnizimi pandërprerje me ujë, ndërsa për 9000 banorë të Ersekës do të ketë shtim të sasisë dhe presionit pas investimeve në Burimin e Kozelit.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Menaxhimit të Mbetjeve (AKUM) bëri të ditur se është miratuar nga Këshilli Teknik i saj projekti për ndërtimin e rrjetit të jashtëm dhe veprës së marrjes nga Burimi i Kozelit, lartësi 1.282 m, për t’i hapur rrugë nisjes së investimit nga qeveria qendrore.
Investimi i AKUM për këtë projekt synon 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 1.363 banorë të 14 fshatrave duke nxitur zhvillimin turistike dhe ekonomik të zonës, si dhe rritjen e sasisë së ujit për 9.000 qytetarë të Ersekës, sipas standardit 150 l/frymë.
Ky project parashikon ndërtimin e 17.3 km linjë kryesore të re sistemin SCADA, ndërtimin e 9 pusetave komandimi për 14 fshatrat, çka do të çojë edhe në uljen e kostos për ndërmarrjen e UK Kolonjë.
14 fshatrat përfitues të ndërtimit të këtij projekti janë Starje ,Selenice , Rehove, Psar, Kreshove, Gostivisht, Bejkove , Mollas , Qinam, Qafzes, Helmes, Shtike, Vodice, Skorovot sot i kanë sistemet në gjendje krejt të amortizuar
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKUM kanë përmbyllur gjatë vitit 2020 investime të rëndësishme në sistemet e ujësjellësit për Ersekën duke garantuar furnizimin me ujë për 9.000 banorë të saj.
Investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturën e ujësjellësve synojnë modernizimin e tij, për të garantuar parametra e standarde bashkëkohore duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve , si dhe ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
ATSH