ATSH/ Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot në 149-vjetorin e lindjes At Gjergj Fishtën, të cilin e cilësoi një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe.
“Si sot, 149 vite më parë lindi Epiku ynë më i madh, poeti i shquar At Gjergj Fishta, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, i cili jetësoi vlerat e Rilindjes sonë Kombëtare. Figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare”, – theksoi Meta.
Presidenti Meta u shpreh se “spikat veçanërisht roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit ku u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, me një angazhim të vyer për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, deputet, anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, i angazhuar për njohjen diplomatike të Shqipërisë, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e interesave kombëtare”.
“Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, për të Shqiptaria ishte misioni më fisnik i kombit, që na e la trashëgimi dhe prej së cilës ne frymëzohemi edhe sot. At Gjergj Fishta me kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe me gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, idealizoi dhe kërkoi shqiptarin e përjetshëm, heroin dhe misionarin e kombit që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete”, – tha Meta.
Kreu i shtetit theksoi se “ky është një mesazh që edhe sot mbetet më i fortë dhe i vlefshëm se kurrë: Të punojmë vetëm për të mirën dhe të ardhmen e ndritur të Shqipërisë. Padre Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale, duke na lënë amanet për të qenë gjithmonë të vëmendshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të shtetit nga çdo kërcënim”./k.s/j.p/