ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, duhet të bëhen urgjentisht prioritet i njëjtë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit për Policinë e Shtetit.

Duke folur gjatë një aktiviteti për mbrojtjen e Territorit dhe zbatimin rigoroz të Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, Çuçi tha se, “sot jemi mbledhur për një problem që ka një rëndësi specifike në gjithë kuadrin e detyrave të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme dhe mendoj që është një moment që duhet ta rimarrim për të vendosur gjithë gravitetin e duhur të strukturave të Ministrisë së Brendshme për zbatimin e një legjislacioni shumë të rëndësishëm që lidhet me mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi dhe specifikisht me mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e paligjshme”.

“Është bërë tashmë një kohë jo e shkurtër që e gjithë struktura që përgjigjet për mbrojtjen e territorit nga dhe ndërtimet e paligjshme dhe të gjithë strukturat ligjzbatuese dhe agjencitë që merren me mbrojtjen e mjedisit kanë kaluar nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme. Dhe pavarësisht kësaj kohe mendoj që akoma nuk kemi bërë atë që duhet përsa i takon koordinimit që duhet të kenë të gjitha këto struktura. E parë kjo në rezultatet e deritanishme”, tha Çuçi

“Është bërë një punë e mirë padiskutim nga agjencitë, përkatësisht nga IKMT, por edhe nga agjencitë e tjera që i janë bashkuar MB në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, por gjykoj që akoma punojmë si ishuj të pavarur dhe të pa koordinuar siç duhet me strukturat e policisë, gjë që ka qenë në fakt dhe qëllimi i të gjithë ndryshimeve që bëmë ne për riorganizimin në lidhje me këtë çështje”, theksoi Çuçi.

“Tashmë ka ardhur koha që Policia duhet konsideruar një e vetme. Në kuptimin e vendosjes së kontrollit mbi territorin. E gjithë përgjegjësia për çdo lloj vepre penale që ndodh në territor duhet të bie dhe do ta ketë siç e ka në fakt me ndryshimet ligjore që kemi bërë dhe ndryshimet strukturore organizative që kemi bërë, por duhet ta ketë dhe në realitet tashmë, Policia e Shtetit. Policia e Shtetit duhet të kontrollojë çdo cm2 të territorit të Shqipërisë. Dhe duhet të krijojmë ekipe të përhershme të përbashkëta, midis punonjësit që ka në ngarkim një territor të caktuar të Republikës së Shqipërisë, me inspektorin që përgjigjet për ndërtimet pa leje, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e mjedisit, me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e  pyjeve. Dhe është ky ekip që duhet të funksionojë si një i vetëm. Në lidhje me të gjithë krimet që ndodhin në territor siç funksionon në lidhje me krimet e tjera”, tha Çuçi.

“Dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues që nga Veriu i Shqipërisë dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë, që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin Ministrit të Brendshëm, kushdo qoftë, sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë. Nuk do tolerohet më dhunë mbi territorin. Dhe po ju kujtoj që shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtime pa leje. Dhe po ju them dhe njëherë, dëgjojeni, fiksojeni mirë këtë gjë, sepse nuk do ketë më tolerim, sidomos në periudha të tilla. Jemi dhe në prag të sezonit të turizmit dhe sigurisht që presioni rritet dhe më shumë, vigjilenca jonë dhe puna jonë duhet të shumëfishohet në lidhje me këtë gjë”, theksoi Çuçi.

“Do ketë një plan të qartë që buron që nga detyrimi që ka çdo organ kryesisht njësi vendore bashki që do dorëzojë leje, çdo leje ndërtimi që del. Pra që nga bashkia deri tek Komiteti Shtetëror i Rregullimit të Territorit, çdo leje ndërtimi që del, do shkojë me detyrim tek Policia e Shtetit në momentin që zbardhet. Dhe Policia e Shtetit duhet të ketë të gjithë hartën e lejeve të ndërtimit që jepen në Republikën e Shqipërisë. Dhe në bazë të kësaj lejeje do ndajë territorin sipas grupeve, ekipeve, që sapo thashë dhe çdo ekip do jetë përgjegjës për një pjesë të territorit. Dhe në bazë të kësaj do bëhet plani i kontrollit”, u shpreh Çuçi. /a.a/