ATSH/ Qindra mijëra qytetarë në të gjithë botën po vijojnë protestat kundër luftës në Ukrainë.
Në Stamboll, në Turqi, në Nju Jork dhe Uashington, në SHBA, në Berlin, në Gjermani, në Romë, në Itali, në Vilnuis në Lituani, në Colombo, Sri Lanka, në Athinë në Greqi, në Paris, në Brazil, e madje edhe në Shën Petersburg, në Rusi, protestuesit kanë mbushur sheshet me flamurin e Ukrainës në duar dhe pankartat “Stop luftës”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë publikoi sot pamje nga protestat nga e gjithë bota.
“Në qytete anembanë botës, qytetarët ndërkombëtarë po ngrenë zërin kundër sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe po bashkohen dhe po tregojnë mbështetje për popullin e Ukrainës”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Kjo e diel shënon ditën e 18-të të luftës në Ukrainë, ndërsa situata sa vjen e tensionohet edhe më shumë. /a.a/



























