Kryeministri Edi Rama deklaroi se “ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e të gjitha gjobave të vendosura dhe kthimin tek të gjobiturit të të gjitha patentave e mjeteve të bllokuara”.

Rama tha se në total “janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorë dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti, të cilat janë shoqëruar me pezullim leje drejtimi për 3 vjet dhe bllokim të automjetit”.

“Sot dua t’ju jap një provë të thjeshtë për faktin se ndëshkimet në këtë situatë, nuk janë as një dëshirë e shpirtit tim diktatorial, as një plan i mendjes sime për t’u bërë si Enveri, siç më akuzojnë”, tha Rama, ndërsa bëri të ditur këtë vendim.

Ai nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të disiplinës kolektive në këtë luftë, ku një pakicë krejt e vogël, s’mund të lejohet të gërryejë forcën e madhe të rezistencës popullore ndaj armikut te padukshëm dhe të hedhë në lumë gjithë këtë përpjekje të përbashkët, duke mbjellë vdekjen në trupin e njerëzve të pafajshëm”./j.p//r.e/atsh