Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të perëndimit në majat e Alpeve, në zemër të Dragobisë.

Fotografia është realizuar nga Bleron Çaka, dhe është prezantuar në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

“Një moment i rrallë ku drita e fundit e ditës përqafon majat e Alpeve, në zemër të Dragobisë. “Wanderlust in Albania 2”, Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë & Videos, na sjell “Perëndim në Majën e Gjarprit”, foto e realizuar nga Bleron Çaka”, u shpreh Rama.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Një prej tyre ishte edhe imazhi i fotografit Bleron Çaka, i cili zgjodhi promovimin e Alpeve Shqiptare, një nga destinacionet natyrore që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë unike.

Parku Kombëtar i Alpeve mbetet një ndër destinacionet më të vizituara në vendin tonë, ku turistët tërhiqen nga bukuritë natyrore të Lumit të Gashit, Luginës së Valbonës, Thethit, Vermoshit dhe Bogës.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

/m.m/j.p/