ATSH/ Ambra Marku, 12-vjeçarja nga Lezha, me zë të veçantë dhe performancë artistike, është përzgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në Sanremo Junior 2026, një nga skenat më prestigjioze për artistët e rinj në botë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije, se 12-vjeçarja do të ngjitet në këtë skenë me këngën “Valsi i Lumturisë”. Ambra nuk do të sjellë vetëm interpretimin e saj të bukur, por edhe një copëz të shpirtit dhe traditës shqiptare.
Kjo këngë pritet të përcjellë emocione të forta dhe të reflektojë vlerat tona kulturore, duke i dhënë publikut ndërkombëtar një copëz të identitetit tonë artistik.
12-vjeçarja përfaqëson një brez të ri artistësh që rriten me pasion, përkushtim dhe krenari për origjinën e tyre.
“I urojmë suksese në këtë rrugëtim dhe vijim të shkëlqyer të talentit të saj në skenë”, tha Gonxhja.
Sanremo Junior 2026 është një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore për fëmijë dhe adoleshentë në nivel ndërkombëtar, që zhvillohet çdo vit.
Ky festival është versioni për të rinj i Festival di Sanremo dhe mbledh talente nga e gjithë bota, zakonisht të moshës 6–15 vjeç.
/e.i/a.f/r.e/



























