ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim që përcakton rregulla të detajuara për projektimin ekologjik të produkteve me ndikim energjetik, si dhe kërkesat për etiketimin e tyre, me synim rritjen e eficiencës energjetike dhe reduktimin e ndotjes së ajrit në vend.

Vendimi, i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, vendos standarde të reja për pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë me kapacitet deri në 50 kW, duke përfshirë kërkesa për performancën, sigurinë, emetimet dhe konsumit e energjisë.

Sipas dokumentit, objektivat kryesore të rregullores janë rritja e eficiencës sezonale të ngrohjes, ulja e emetimeve ndotëse në ajër, përmirësimi i performancës funksionale të pajisjeve dhe nxitja e inovacionit drejt teknologjive më të qëndrueshme.

Vendimi përcakton gjithashtu përjashtime për disa kategori pajisjesh, si ato të destinuara për përdorim të jashtëm, pajisjet për sauna, si dhe disa sisteme specifike që nuk plotësojnë kriteret e prodhimit të nxehtësisë sipas përcaktimeve teknike.

Një pjesë e rëndësishme e rregullores lidhet me kërkesat e detajuara teknike për emetimet e gazrave dhe grimcave, eficiencën e energjisë, si dhe mënyrat e matjes dhe verifikimit të konformitetit të produkteve në treg. Po ashtu, dokumenti përcakton detyrime për prodhuesit në lidhje me dokumentacionin teknik dhe gjurmueshmërinë e modeleve.

Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga institucionet përgjegjëse për tregun dhe energjinë, ndërsa autoritetet përkatëse do të angazhohen edhe për publikimin dhe regjistrimin e të dhënave në sistemet zyrtare shtetërore.

Sipas vendimit, akti do të mbetet në fuqi deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur edhe parashikohet shfuqizimi i tij automatik në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me legjislacionin evropian.

/gj.m/r.e/