ATSH/ Rreth 36% e ndërmarrjeve në Shqipëri deklarojnë se aktualisht kanë një hua për të paguar, duke shënuar rritje me 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe rënie të lehtë në terma vjetorë, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve për gjysmën e dytë të vitit 2025.

Sipas raportit, rritja e peshës së ndërmarrjeve huamarrëse është nxitur kryesisht nga ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, ndërsa ndërmarrjet e vogla kanë shënuar rënie në këtë tregues.

Të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit vijon të ketë peshën më të lartë të ndërmarrjeve huamarrëse, me 43%, ndërsa sektori i shërbimeve paraqet nivelin më të ulët, me 26%.

Raporti thekson se 92% e ndërmarrjeve huamarrëse përdorin burime formale financimi, kryesisht nga sektori bankar, ndërsa 8% kombinojnë financimin formal dhe joformal.

Sipas Bankës së Shqipërisë, huamarrja është përdorur kryesisht për investime afatgjata (rreth 50%) dhe për mbulimin e shpenzimeve operative (44%).

Po ashtu, rreth 84% e ndërmarrjeve e vlerësojnë të përshtatshëm nivelin aktual të huamarrjes për financimin e aktivitetit të tyre, ndërsa raporti mesatar hua/kapital është 77,6%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se marrëdhënia e ndërmarrjeve me bankat mbetet “e rëndësishme dhe e domosdoshme”, ndërsa indeksi i planifikimit të huamarrjes për gjysmën e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje.

/e.xh/j.p/