ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot që po punohet për krijimin e fondeve të posaçme për financimin e startup-eve në zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre.

Në ceremoninë e shpalljes së startup-eve fituese nga “Grant 2026”, Rama solli në vëmendje financimin e projektit të Mira Muratit.

“Kemi bërë një hap që është hedhur për herë të parë nga një qeveri në Republikën e Shqipërisë duke marrë pjesë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit. Por besojmë shumë që të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me startup-et tona që kalojnë në një fazë të dytë dhe kanë nevojë për një mbështetje ekstra për t’u zhvilluar, pasi konfirmohen në fazën embrionale”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se kjo do të bëhet duke filluar me krijimin e fondeve të posaçme që janë parashikuar në legjislacion dhe që mund të krijohen me bashkëpunimin mes qeverisë dhe burimeve të tjera financiare që vijnë nga sipërmarrja apo institucione të tjera financiare apo nga partnerë të vendit tonë.

“Do ta nisim këtë proces dhe besoj se vitin e ardhshëm do të kemi në dispozicion edhe këtë instrument për ata që do të kenë kaluar me sukses fazën embrionale dhe kanë nevojë për t’u financuar më tutje për të zhvilluar projektin”, shtoi Rama.

Kryeministri solli shembullin e suksesshëm të një stratup-i përfitues nga ky program, i cili ka arritur të ketë mbi 50 mijë klientë në SHBA, me një objektiv ambicioz për të arritur në gjysmë milion klientë.

“Ajo që nisi si ide, u zhvillua si një bërthamë e vogël e një startup-i dhe sot faktikisht është kthyer në një sipërmarrje të suksesshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “këtë vit në këtë program kemi dyfishin e fituesve të vitit të shkuar”.

“Me rëndësi patjetër edhe shpërndarja gjeografike. Kemi praktikisht aplikime nga gjithë territori dhe kemi pjesën më të madhe të aplikimeve në Tiranë, por njëkohësisht 5 qarqeve të para u bashkohen edhe Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Korça. Në Shkodër dhe në Vlorë kemi rritjen më të lartë relative mes gjithë këtyre qarqeve”, shtoi Rama.

Po ashtu Kryeministri vlerësoi rritjen e ndjeshme të numrit të vajzave dhe grave në këtë fushë, që sipas tij, po bëhen një forcë dominante.

“Më vjen shumë mirë që kemi kapacitetin për t’i mbështetur më vjen shumë mirë që kemi aplikime edhe nga diaspora. Janë 15 startup-e nga diaspora të financuara deri më sot nga programi Startup Albania ndërkohë që kemi 38 mentorë, shumica shqiptarë, profesionistë të diasporës.

Rama theksoi se sot që flasim janë 42 produkte të këtij programi që janë lançuar në treg dhe funksionojnë si sipërmarrje që kanë një perspektivë fantastike.

/r.e/