ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit kombëtar për përgatitjen e biznesit për integrimin në Bashkimin Europian, u ndal edhe tek sipërmarrja e përpunimit të industrisë së lëkurës e drejtuar nga Etleva Laro, duke e cilësuar atë si “shëmbëlltyrë e vizionit dhe aftësisë për t’u transformuar dhe adaptuar”.

Rama tha se kjo sipërmarrje është pjesë e gjithë sistemit të dikurshëm të sipërmarrjes fason ku, sipas tij, janë vërejtur dy zgjedhje.

“Njëra është zgjedhja e inercisë dhe tendenca e të kërkuarit të garancisë së të nesërmes tek lehtësimet, tek shiringat e qeverisë dhe deri tek kërkesa për të mbështetur financiarisht këto sipërmarrje që të përballojnë kursin e euros”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “natyrisht që kjo është një zgjedhje e lirë, por është një tendencë që shkon në të kundërt me procesin e pakthyeshëm dhe të pandalshëm të transformimit tërësor të ekonomisë në përballje me sfidat jashtëzakonisht komplekse të integrimit në tregun e përbashkët evropian”.

“Zgjedhja tjetër është zgjedhja që ka bërë zonja dhe disa kompani të tjera, ku tendenca nuk ka qenë si të mbrohemi, por si të dalim përtej kufijve që na imponon situata ku jemi dhe si të rinovojmë, të transformojmë dhe të adaptohemi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot sipërmarrja e Laros si të gjitha sipërmarrjet që kanë bërë këtë zgjedhje janë në një nivel tjetër dhe kanë provuar që guximi shpërblen kur mbështetet nga një vizion i qartë, nga një vullnet i fortë dhe patjetër edhe nga ideja që e ardhmja nuk ndalet, ajo vjen dhe e shkuara nuk kthehet ajo ka ikur”.

“Këtu jemi pikërisht për këtë për të ardhmen që nuk ndalet sepse vjen dhe për të shkuarën që nuk kthehet sepse ka ikur”, tha Rama.

/k.s/j.p/