ATSH/ Plazhi i Uçkave, një nga zonat më të njohura dhe me traditë në bregun e liqenit të Ohrit, po tërheq këtë sezon veror një numër të lartë pushuesish vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një nga destinacionet më të frekuentuara të Pogradecit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh publik me hapësira të sistemuara si dhe me çadra falas në dispozicion të pushuesve.

I vendosur në segmentin midis zonës së Vilave dhe Tushemishtit, plazhi publik ofron hapësira të lira për pushuesit, ujë të pastër dhe infrastrukturë të përmirësuar, ndërsa gjatë fundjavave frekuentimi arrin kulmin për shkak të temperaturave të larta dhe afërsisë me qytetin.

“Uçkat”, siç njihet tradicionalisht nga banorët e Pogradecit, është një prej plazheve historike të qytetit, ku prej dekadash familjet kalojnë ditët e verës buzë liqenit. Emërtimi ruhet kryesisht nga pogradecarët e vjetër dhe lidhet me historinë e kësaj zone turistike.

Autoritetet vendore kanë bërë të ditur se gjatë sezonit veror janë shtuar shërbimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë në plazhet publike, me synimin për të garantuar kushte sa më të mira për pushuesit dhe vizitorët.

Pogradeci mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turizmit liqenor në vend që kombinon natyrën me kuzhinën tradicionale.

/m.m/r.e/