ATSH/ Në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE sot pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të negociatave: “Kërkimi Shkencor”, “Arsimi dhe Kultura” dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë dhe theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur pasi do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave,

Kos deklaroi se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po shënojnë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.

“Sot është një “super e martë” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër Konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Kos në një prononcim për mediet.

Ajo tha se me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Kapitullin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta.

Komisionerja nënvizoi se “Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Momenti i sotëm duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.

Këto janë njëherësh dëshmi për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për ndërtimin e ekonomisë konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.

Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.

Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.

Konferenca e sotme Ndërqeveritare shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.