/ATSH/ Shqipëria po ndërmerr një tjetër hap në procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, përmes projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili përcakton kuadrin ligjor që do të zbatohet në rast të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe përmbushjes së kritereve për t’u bërë pjesë e Eurozonës.

Projektligji synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian, forcimin e pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë, si dhe konsolidimin e stabilitetit financiar, në përputhje me standardet europiane.

Agjencia për Media dhe Informim, bën të ditur se, ndryshimet e propozuara krijojnë bazën ligjore për funksionimin e Bankës së Shqipërisë në kuadër të Sistemit Europian të Bankave Qendrore, pasi vendi të anëtarësohet në BE dhe të plotësojë kriteret e konvergjencës ekonomike.

“Projektligji ka karakter përgatitor dhe nuk nënkupton adoptimin e menjëhershëm të monedhës euro”, thekson MIA, teksa nënvizon se, kalimi në euro do të realizohet vetëm pasi Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara për anëtarësimin në Eurozonë.

Sipas MIA-s, projektligji përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, duke synuar përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional të vendit me standardet e Bashkimit Europian.

e.xh/j.p/