ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, ndërsa aktualisht 2 vatra mbeten në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 65 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse të FA-së, 2 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Dajt, zjarri është fikur dhe zona po mbahet në monitorim nga strukturat vendore. Në Priskë, zjarri është shuar plotësisht.
Në Çikallesh dhe Leshtej-Collak, bashkia Kavajë, operacioni përfundoi pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga disa bashki dhe mbështetjes nga ajri.
Në Mushnik, bashkia Rrogozhinë, zjarri është shuar.
Në Mallakastër, në zonën Ndrenie–Vlosh–Panahor, vijon operacioni për fikjen përfundimtare të vatrës, e cila mbetet aktive nën kurorë në krahun verior dhe po mbahet në monitorim.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së 5 automjeteve zjarrfikëse, 26 efektivëve të MZSH-së, forcave policore, bashkiake, vullnetarëve, OSHE-së dhe 25 efektivëve të FA-së.
Në Kostren 2, bashkia Berat, dhe në Uruçaj, bashkia Peqin, zjarret janë shuar plotësisht. Edhe vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar nga strukturat operacionale.
Aktualisht nuk raportohet asnjë vatër problematike që të paraqesë rrezik për zonat e banuara; dy zonat e mbetura janë në monitorim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe gatishmërinë për ndërhyrje në çdo rast të riaktivizimit të mundshëm.
/gj.m/j.p/



























