ATSH/ Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka hapur aplikimet për ekspertë të jashtëm dhe laboratorë të akredituar, të interesuar për t’u angazhuar pranë këtij institucioni, sipas fushave përkatëse të ekspertizës.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila u bëri thirrje profesionistëve me njohuri dhe përvojë të specializuar që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij bashkëpunimi.

Thirrja është e hapur deri më 1 shtator 2026.

Sipas saj, përfshirja e ekspertëve të jashtëm dhe laboratorëve të akredituar synon të kontribuojë në trajtimin e çështjeve që kërkojnë njohuri të posaçme profesionale, duke ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe eficiencës së proceseve të prokurimit të përqendruar.

“Ekspertiza e jashtme ndihmon në rritjen e cilësisë dhe eficiencës së proceseve të prokurimit të përqendruar”, theksoi Ibrahimaj.

Ekspertët dhe laboratorët e interesuar, që zotërojnë kualifikimet dhe përvojën e kërkuar në fushat e përcaktuara në njoftim, mund të aplikojnë online përmes faqes zyrtare të OBP-së, në kategorinë “Njoftime”.

Nisma synon të zgjerojë bazën e profesionistëve të specializuar që mund të angazhohen në proceset e prokurimit të përqendruar, duke forcuar kapacitetet teknike dhe profesionale të OBP-së.