ATSH/ Fermerët dhe agrobizneset në vend mund të përfitojnë financim deri në 200 milionë lekë për subjekt, përmes skemës së kredisë së butë me garanci sovrane, njoftoi Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Sipas AZHBR-së, kjo formë financimi synon të rrisë aksesin e fermerëve dhe agrobizneseve në kredi për investime, duke ofruar kushte më të favorshme dhe kosto më të ulët financimi.
Në kuadër të marrëveshjes së re të Garancisë Sovrane, shteti garanton 70% të kredisë, ndërsa financimi mund të shkojë deri në 200 milionë lekë për subjekt. Kredia ofrohet me normë interesi 2% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite.
Skema shtrihet në disa sektorë të bujqësisë dhe agrobiznesit, përfshirë bujqësinë, blegtorinë, agropërpunimin, mekanizimin bujqësor, agroturizmin dhe akuakulturën detare.
Aplikimi bëhet pranë 11 bankave të nivelit të dytë, ndërsa afati për aplikim është deri më 20 nëntor 2027.
AZHBR thekson se instrumenti synon të krijojë më shumë mundësi për investime, zgjerimin e aktivitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor dhe agrobiznesit në vend.



























