ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur ndryshimet që lidhen me importin e produkteve me origjinë shtazore nga Brazili, në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit Evropian (BE) 2026/1189, e cila ndryshon Rregulloren Zbatuese (BE) 2021/405.
Sipas AKU-së, në kuadër të këtyre ndryshimeve, Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
AKU sqaron se, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.
Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, më 28 maj 2026, në Bruksel, u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian të Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit (UECBV) dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore të Komisionit Evropian (DG SANTE).
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komisionit Evropian sqaruan se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.
Në këtë kuadër, AKU bën të ditur se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar.
Ky rregull zbatohet edhe në rastet kur ngarkesat mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.
AKU thekson se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
/gj.m/r.e/



























