ATSH/ – Kosi është një aleat i çmuar për shëndetin e kockave, por jo vetëm. Ai është gjithashtu burim proteinash, të rëndësishme si gjatë fëmijërisë, ashtu edhe në moshën e rritur, ndërsa konsumi i rregullt lidhet me një shëndet më të mirë metabolik dhe me rrezik më të ulët për disa sëmundje kronike, shkruan salute.eu.

Një rishikim i ri i publikuar në revistën “Journal of Nutrition, Health and Aging” ka analizuar të dhënat shkencore mbi ndikimin e kosit në shëndetin e njeriut.

Sipas përfundimeve të studimit, përfshirja e rregullt e kosit në dietë lidhet me përmirësimin e shëndetit metabolik, uljen e rrezikut për diabetin e tipit 2 dhe ndihmon në ruajtjen e një përbërjeje të shëndetshme trupore.

Studimi vë në dukje edhe atë që studiuesit e konsiderojnë një paradoks të produkteve të qumështit: megjithëse disa prej tyre, përfshirë kosin e plotë, përmbajnë yndyra, konsumi i tyre nuk lidhet domosdoshmërisht me rritje të kolesterolit, mbipeshë apo obezitet.

Kosi dhe mikrobiota e zorrëve

Rishikimi shkencor ka ndërthurur të dhëna nga studime vëzhguese dhe prova klinike. Kosi paraqitet si një ushqim me dendësi të lartë ushqyese, pasi përmban kalcium, proteina me vlerë të lartë biologjike, kalium dhe kultura bakteriale të gjalla.

Sipas studiuesve, ndikimi i kosit në organizëm nuk shpjegohet vetëm nga një nutrient i veçantë, por nga ndërveprimi i përbërësve të ndryshëm të tij, që së bashku krijojnë atë që shkencëtarët e quajnë “matricë ushqimore”.

Një nga mekanizmat e mundshëm lidhet me mikrobiotën e zorrëve. Bakteret e acidit laktik që gjenden në kos mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të florës së zorrëve dhe të nxisin prodhimin e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër.

Këto përbërje mund të ndikojnë në inflamacionin kronik të nivelit të ulët, i cili lidhet me obezitetin dhe rezistencën ndaj insulinës.

Mund të ndikojë edhe në kolesterol dhe tensionin e gjakut

Të dhënat e përmbledhura në studim tregojnë një lidhje të kundërt mes konsumit të kosit dhe zhvillimit të disa çrregullimeve metabolike.

Një meta-analizë e përfshirë në rishikim ka treguar se kosi probiotik mund të ulë kolesterolin total dhe kolesterolin LDL te personat me hiperkolesterolemi të lehtë ose të moderuar.

Studime të mëdha vëzhguese sugjerojnë gjithashtu se personat që konsumojnë rregullisht kos priren të kenë shëndet më të mirë kardiovaskular.

Disa prova të kryera në SHBA kanë treguar se konsumimi i kosit të paktën pesë herë në javë lidhet me një rrezik 16% më të ulët për hipertension. Ndërsa te personat me hipertension, konsumimi i kosit të paktën dy herë në javë është lidhur me një rrezik 17% më të ulët për sëmundje kardiovaskulare te gratë dhe 21% te burrat.

Kos i plotë apo me pak yndyrë?

Një nga çështjet kryesore të trajtuara nga rishikimi është dallimi mes kosit me pak yndyrë dhe kosit të plotë.

Për dekada, udhëzimet ushqimore kanë rekomanduar produktet e qumështit me përmbajtje të reduktuar yndyre për të parandaluar shtimin në peshë dhe problemet kardiovaskulare. Megjithatë, studimet e analizuara nuk tregojnë se kosi i plotë lidhet me rritje të masës dhjamore apo përkeqësim të treguesve metabolikë.

Ky fenomen njihet si “paradoksi i produkteve të qumështit të plota”.

Sipas studiuesve, yndyrat e ngopura që gjenden në kos nuk duket se veprojnë në të njëjtën mënyrë si yndyrat e ngopura të izoluara apo ato që vijnë nga ushqimet ultra të përpunuara.

Prania e proteinave, kalciumit dhe membranave të globulave të yndyrës së qumështit mund të ndikojë në mënyrën se si organizmi përthith lipidet, duke kufizuar efektet e tyre të mundshme negative.