ATSH/ Kuvendi përfundoi në orët e para të mëngjesit të së premtes seancën plenare maratonë, duke miratuar  ndryshimet në qeveri, si edhe disa projektligje dhe projektvendime të parashikuara në rendin e ditës

Kështu, Kuvendi miratoi me votat e shumicës emërimin e Ervin Demos si ministër të Punëve të Brendshme, në vend të Besfort Lamallari. Demo ka mbajtur deri më sot postin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, institucion që do të integrohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mes akteve të miratuara ishte projektligji për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të bërë në Hagë më 16 dhjetor 2025, qe mori 109 vota pro dhe asnjë kundër.

Po ashtu 108 vota pro dhe asnjë kundër mori dhe Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.

Kuvendi miratoi me 109 vota pro edhe projektligjin për pranimin e vendimit të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit për ndryshimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, si dhe ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në votim kaluan gjithashtu projektligjet “Për disenjot” me 102 vota , teksa projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike” u shty për javën e ardhshme

Në përfundim të punimeve u miratuan edhe projektvendimet për ndryshimet në kryesitë, anëtarësinë dhe anëtarët zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Seanca plenare e së enjtes u shoqërua edhe me interpelanca urgjente të kërkuara nga deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ministrin e Punëve të Brendshme, ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.

Në seancë u zhvillua gjithashtu interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

/e.xh/r.e/a.f/