ATSH/ – Rreth 500 vjet përpara udhëtimit të Kristofor Kolombit drejt Amerikës, eksploruesit nordikë kishin kaluar Atlantikun dhe kishin mbërritur në Amerikën e Veriut. Prania e tyre, e dokumentuar nga zbulimet arkeologjike në Kanada, po hedh dritë mbi një kapitull të historisë që për shekuj me radhë mbeti pak i njohur.

Sipas një artikulli të publikuar nga BBC-ja, vikingët arritën në Amerikën e Veriut rreth vitit 1000, shumë kohë përpara se Kolombi të mbërrinte në Bahamas, më 12 tetor 1492.

Ndryshe nga ekspeditat e mëvonshme evropiane, udhëtimet e tyre nuk u shoqëruan me shpallje zyrtare apo pritje madhështore. Rrugëtimet u ruajtën kryesisht në sagat nordike, rrëfime historike të përcjella ndër breza, të cilat për një kohë të gjatë u konsideruan pjesërisht legjendare.

Nga Islanda drejt Amerikës së Veriut

Sipas këtyre rrëfimeve, eksploruesit nordikë u vendosën në Islandë rreth vitit 870 dhe mbërritën në Groenlandë rreth një shekull më vonë.

Nga Groenlanda, ata kaluan ngushticën e Dejvisit drejt ishullit Baffin, në Kanadanë e sotme, të cilin e quajtën Helluland, ose “toka e gurëve të sheshtë”.

Më tej, sipas sagave, ata eksploruan brigjet e Labradorit, të quajtur Markland, “toka e pyjeve”, përpara se të vazhdonin drejt jugut, në një territor që e emërtuan Vinland.

Rrëfimet sugjerojnë se udhëtimet nuk kufizoheshin në një pikë të vetme, por përfshinin ndalesa në disa zona dhe qëndrime që mund të zgjasnin me vite.

Zbulimi arkeologjik në Kanada

Një nga provat më të rëndësishme të pranisë së vikingëve në Amerikën e Veriut është vendbanimi i L’Anse aux Meadows, në ishullin Newfoundland të Kanadasë, i zbuluar në vitin 1960.

Vendbanimi dëshmon se eksploruesit nordikë kishin mbërritur në këtë pjesë të kontinentit shumë përpara udhëtimeve të Kolombit.

Në vitin 2021, studiuesit përdorën një teknikë të re datimi për të përcaktuar se vikingët kishin qenë të pranishëm në këtë vend në vitin 1021, saktësisht 1000 vjet përpara. Studimi u mbështet në analizën e gjurmëve të aktivitetit njerëzor në dru, të lidhura me një ngjarje të njohur të stuhive diellore.

Sipas studiuesve, vendbanimi mund të ketë shërbyer si bazë për eksplorime të mëtejshme në brendësi të Amerikës së Veriut.

Një histori që po rishkruhet

Sagat nordike përshkruajnë udhëtime të gjata detare, eksplorime dhe përpjekje për krijimin e vendbanimeve të reja përtej Atlantikut. Edhe pse këto rrëfime u shkruan shumë kohë pas ngjarjeve që përshkruajnë, zbulimet arkeologjike kanë konfirmuar disa prej elementeve të tyre kryesore.

Sipas historianëve të cituar nga BBC-ja, këto udhëtime përfaqësojnë një kapitull të rëndësishëm të historisë së hershme të kontakteve ndërmjet Evropës dhe Amerikës së Veriut.

Rrjedhimisht, udhëtimi i Kolombit në vitin 1492 nuk shënon mbërritjen e parë të evropianëve në kontinentin amerikan, por një moment historik që do të pasohej nga një epokë e re eksplorimesh, kolonizimi dhe ndryshimesh të thella për popullsitë e të dy kontinenteve.