Sipas raportit të publikuar sot “World Economic Outlook”, ekonomia shqiptare pritet të ruajë një ritëm rritjeje prej 3,5% këtë vit, ndërsa për vitin 2027 parashikimi mbetet në 3,2%.
Në raport me vlerësimin e prillit, FMN ka ulur me 0,2 pikë përqindjeje parashikimin për inflacionin mesatar në Shqipëri gjatë vitit 2026, në 3,2%, nga 3,4%. Për vitin 2027, inflacioni pritet të jetë po 3,2%, kundrejt 3,1% që parashikohej më parë.
Përmirësim paraqitet edhe në parashikimet për llogarinë korrente, që pasqyron marrëdhëniet ekonomike të vendit me jashtë. Deficiti i saj pritet të jetë 2,1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026, nga 2,8% në vlerësimin e mëparshëm. Për vitin 2027, FMN parashikon deficit në 2,5% të PBB-së, kundrejt 3,4% që pritej në prill.
Ndërkohë, norma e papunësisë në Shqipëri parashikohet të qëndrojë në 8,7% si në vitin 2026, ashtu edhe në vitin 2027.
Në nivel global, FMN parashikon rritje ekonomike prej 3,1% në vitin 2026 dhe 3,4% në vitin 2027. Sipas raportit, ekonomia botërore ka treguar qëndrueshmëri përballë tensioneve gjeopolitike dhe tregtare, si dhe rritjes së çmimeve të energjisë, e mbështetur nga aktiviteti ekonomik dhe investimet në teknologji.
Megjithatë, institucioni vlerëson se perspektiva globale vijon të përballet me rreziqe, përfshirë konfliktet, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguritë në tregjet financiare.
Inflacioni global parashikohet të arrijë në 4,7% në vitin 2026 dhe të ulet në 4,1% në vitin 2027. FMN paralajmëron se goditjet e reja në tregjet energjetike mund të shtojnë presionet mbi çmimet, ndërsa përqendrimi i investimeve në një numër të kufizuar kompanish dhe ekonomish mund të rrisë rreziqet për tregjet.
Në këtë kontekst, FMN nënvizon rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, forcimit të rezervave fiskale dhe zbatimit të reformave strukturore për të përballuar më mirë goditjet e mundshme ekonomike.
https://www.imf.org/en/publications/weo/issues/2026/10/13/world-economic-outlook-october-2026
/e.xh/ /a.g/



























