ATSH/ Agjencia Kombëtare e Diasporës ka një buxhet të parashikuar prej 86,6 milionë lekësh për vitin 2027, i cili synon të mbështesë fuqizimin e lidhjeve me komunitetet shqiptare në botë, si dhe përfshirjen e diasporës në jetën ekonomike të vendit.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ermonela Xhafa, gjatë raportimit sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, theksoi se veprimtaria e Agjencisë gjatë vitit 2027 do të përqendrohet në konsolidimin e bashkëpunimit institucional, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore kombëtare, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet investimeve.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm, sipas Xhafës, është promovimi dhe avancimi i të drejtave politike dhe sociale të diasporës, si dhe mbështetja e integrimit të shqiptarëve në vendet ku jetojnë.
Duke u ndalur te projektet e reja, Xhafa veçoi Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2026-2030, e cila ka përfunduar procesin e konsultimit dhe i është përcjellë Këshillit të Ministrave për miratim. Sipas saj, dokumenti përfshin rekomandime të ardhura nga diaspora, institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat e ndryshme.
“Një nga risitë e strategjisë është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Diasporës, i konceptuar si një sportel unik digjital, përmes të cilit shqiptarët kudo në botë do të mund të aksesojnë shërbimet dhe institucionet e shtetit shqiptar”, bëri të ditur Xhafa.
Po ashtu, ajo theksoi se po punohet për zgjerimin e nismës së mësuesve të diasporës nga Greqia në Itali, me synim ruajtjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
“Kemi qenë shumë të suksesshëm deri më tani për mësuesit e diasporës për Greqinë. Ne synojmë ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e Shqipërisë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe”, theksoi ajo.
Në kuadër të përfshirjes më të gjerë të diasporës në vendimmarrje, Xhafa njoftoi edhe ndryshimet e propozuara për Këshillin Koordinues të Diasporës, ku numri i përfaqësuesve parashikohet të rritet nga 15 në 21, duke synuar një përfaqësim më të gjerë gjeografik të komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
“Kemi risinë më të bukur që duke pasur si fokus dhe si politika qeverisëse përfshirjen e diasporës në shumë nga politikat e kësaj qeverie është rritur numri i përfaqësuesve nga 15, në 21. Pra do të ketë më shumë kontribut të diasporës”, shtoi ajo.
Sipas Xhafës, Agjencia do të vijojë gjithashtu angazhimin në promovimin e Shqipërisë, trashëgimisë kulturore dhe traditave shqiptare në botë, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve që forcojnë lidhjet mes diasporës dhe vendit të origjinës.
Ajo vlerësoi se diaspora duhet të shihet jo vetëm si një burim investimesh, por si një partner aktiv në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.
/m.m/r.e/a.f/



























