Italia bëhet vendi i parë i madh i Bashkimit Evropian që miraton këtë teknologji të zhvilluar nga prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike.

Në një postim në platformën X, Salvini tha se ky vendim përbën “një tjetër hap përpara drejt inovacionit, teknologjisë dhe lëvizshmërisë së së ardhmes”.

Ministri bëri të ditur se miratimi erdhi pas “një vlerësimi të hollësishëm të fizibilitetit teknik” dhe përpara përfundimit të procesit të miratimit që po zhvillohet në nivel të Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i “Tesla”-s, Elon Musk, iu përgjigj në X; “faleminderit, e vlerësoj shumë”!

Sistemi TAD, i njohur më parë si Full Self-Driving (FSD), është një teknologji e quajtur “duart larg timonit, sytë te rruga”.

Ajo i mundëson automjetit të drejtojë në mënyrë të pavarur, por kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme nga drejtuesi i mjetit, i cili duhet të qëndrojë pas timonit dhe të jetë i gatshëm të ndërhyjë në çdo moment.

Disa vende më të vogla të BE-së e kanë ndërmarrë tashmë të njëjtin hap si Italia.

Pas marrjes së miratimit fillestar në Holandë në prill, sistemi u njoh më pas edhe në vende të tjera, përfshirë Lituaninë, Estoninë, Danimarkën dhe Belgjikën.

Kjo i ka mundësuar “Tesla”- s të zgjerojë praninë e saj në tregun evropian përpara votimit më të gjerë në nivel të BE-së.

“Tesla” njoftoi gjithashtu sot, përmes një postimi në platformën X, se sistemi TAD ishte miratuar në Itali.

Kompania publikoi edhe një video të filmuar nga brenda një automjeti “Tesla” i cili lëvizte në rrugët e Romës në modalitetin e pavarur. /Ad.Ab./  a.jor.