Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat, Elbridge Colby, deklaroi se sulme të tilla nuk kanë ndihmuar në përfundimin e luftës dhe as në ndalimin e përparimit të forcave ruse në front.

Duke folur sot në një takim të aleatëve të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel, Colby tha se sulmet me rreze të gjatë, të cilat synojnë të shkaktojnë dëme në territorin rus, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt urën e Krimesë, por diplomatët besojnë se deklaratat e tij lidhen me këtë sulm.

Sipas zyrtarit amerikan, goditje të tilla mund të forcojnë vendosmërinë e popullsisë ruse dhe të shtojnë gatishmërinë e Kremlinit për të përshkallëzuar konfliktin.

Ai veçoi veçanërisht sulmet ndaj infrastrukturës civile, duke përmendur edhe kompaninë e tregtisë online “Wildberries”, si dhe paralajmëroi se Rusia ka kapacitete për kundërpërgjigje të thella në territorin ukrainas.

Colby u bëri thirrje në mënyrë indirekte aleatëve evropianë që mbështetja për Ukrainën të përqendrohet te mbrojtja e vijës së frontit dhe rimarrja e territoreve, kur kjo është e mundur.

Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë që Ukraina duhet të luftojë me duart e lidhura pas shpine, duke lënë të hapur mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake ruse që pengojnë përparimin e Moskës.

Qëndrimi amerikan ndryshon nga deklaratat e disa zyrtarëve evropianë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi të ligjshme të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur, duke përfshirë edhe goditjen e qendrave logjistike.

Ndërsa ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e përshkroi sulmin si një tjetër shembull të zgjuarsisë dhe vendosmërisë ukrainase për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Ura e Krimesë, e njohur edhe si Ura e Kerçit, është rreth 19 kilometra e gjatë dhe lidh territorin rus me gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Ajo shërben si një korridor i rëndësishëm furnizimi për forcat ruse në Ukrainën jugore.

Sipas pamjeve të publikuara nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sulmi i fundit shkaktoi shembjen e harkut kryesor të urës rrugore dhe të një pjese të saj, ndërsa një goditje e mëparshme kishte ndërprerë përkohësisht qarkullimin. /Ad.Ab./