Ky është përfundimi i një studimi të ri shkencor, i cili analizoi të dhënat e 93 vendeve dhe shqyrtoi lidhjet mes numrit të maceve, gjendjes ekonomike, shëndetit dhe lumturisë së popullsisë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore PLOS ONE, mban titullin “Pasuria, shëndeti, macet dhe Toxoplasma gondii: Një studim korrelacional mbi mirëqenien subjektive në 93 vende”.
Ai u drejtua nga studiuesi Javier I. Borráz-León, në bashkëpunim me Markus J. Rantala, Indrikis Krams dhe Dario Maestripieri.
Ekipi kërkimor krahasoi disa tregues për secilin vend, përfshirë numrin e maceve për 10 mijë banorë, të ardhurat, Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), shpenzimet për shëndetësinë dhe rezultatet e indeksit të lumturisë.
Për vlerësimin e lumturisë, studiuesit përdorën të dhëna të bazuara në raportin e vitit 2025 për vendet më të lumtura, të cilat pasqyrojnë mesataret e periudhës 2022–2024.
Ky tregues merr parasysh disa elemente, si të ardhurat për banor, mbështetjen sociale, jetëgjatësinë e shëndetshme, lirinë për të marrë vendime personale, bujarinë dhe perceptimin mbi korrupsionin.
Rezultatet treguan një lidhje pozitive mes numrit të maceve për banor dhe nivelit të lumturisë në shkallë kombëtare. Me fjalë të tjera, vendet me më shumë mace në raport me popullsinë priren të kenë edhe rezultate më të larta në treguesit e mirëqenies.
Autorët sugjerojnë se një shpjegim i mundshëm lidhet me kushtet ekonomike.
Vendet më të pasura priren të kenë më shumë mace shtëpiake dhe mundësi më të mira për t’u kujdesur për to, përfshirë ushqimin, kushtet e jetesës dhe shërbimet veterinare.
Në të njëjtën kohë, këto vende kanë prirje të shënojnë rezultate më të larta në treguesit e mirëqenies dhe kënaqësisë nga jeta.
Modeli statistikor i përdorur në studim shpjegoi rreth 47% të ndryshimeve në rezultatet e lumturisë mes 93 vendeve.
Numri i maceve për 10 mijë banorë ishte ndër treguesit që lidhej më fort me rezultatet e lumturisë në këtë model.
Autorët rekomandojnë kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë, marrëdhëniet mes mbajtjes së kafshëve shtëpiake, kushteve ekonomike dhe mirëqenies së popullsisë. //a.i/



























