TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “600 milionë dollarë janë fondet e buxhetit të shtetit që shkojnë për procesin e rindërtimit”.

Nga Fushë Kruja ku ka nisur rindërtimi i lagjes së re për strehimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti, Ahmetaj informoi mbi ndryshimet në buxhetin e shtetit lidhur me fondet që shkojnë për rindërtimin.

“Do të financohen 340 milionë dollarë vetëm nga buxheti i shtetit, pra 34 miliard lekë për rindërtimin këtë vit. Po ashtu edhe 250 milionë dollarë, ose 25 miliard lekë, vitin tjetër vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit. Do të thotë se shkon rreth 600 milionë dollarë vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit plus pastaj procesi me donatorët që vazhdon sidomos me Komisionin Europian”, tha Ahmetaj.

ATSH